Speciale
PS dhe bojkoti/ Edi Rama "ngelës" në dialog
Strategjia e bojkotit i solli humbjen e radhës kreut socialist. Bie mbështetja e bojkotit në grupin parlamentar socialist
29 qershor 2011 17:03
Edi Rama mblodhi së fundmi Asamblenë për t’u thënë se atë ditë do të dëgjonin atë dhe në një asamble tjetër, do të vendosnin qëndrimin e ri politik, për të cilin edhe kryesocialisti foli.

Ndoshta lëvizje e detyruar edhe prej rrjedhjes së besimit të të tijve, se bojkoti, tani kur po i humbasin të gjitha, mbetet akoma edhe më joproduktiv.

Indirekt u pranua prej tij strategjia jofituese, ajo gati 2-vjeçare e bojkotit të Kuvendit dhe e refuzimit të çdo mundësie dialogu për reformat që kishin lidhje me garantimin e statusit të vendit kandidat, por që nuk kishin lidhje me kutitë e votimit.

Rama: Na duhet strategji fituese

Pas kaq vitesh, kreu i opozitës që nuk fitoi në 2009-ën, nuk fitoi referendumin popullor në 2011-ën dhe deri tani nuk ka fituar as Bashkinë e Tiranës, beson se 2 javë do të mjaftojnë për të hartuar një strategji të re, ose edhe për ta servirur të tillë, si produkt të dialogut me popullin atë që tashmë mund të jetë e planifikuar.

Nuk dihet nëse elektorati që ai do pyesë, do ta mbështesë frymën e deritanishme anarkiste të mosnjohjes së institucioneve qeverisëse dhe ato të drejtësisë, apo qytetarët (nëse do të dëgjohen) do të jenë në gjendje t’i sugjerojnë liderit të dëgjojë zyrtarët e lartë europianë e amerikanë, që kërkojnë dialog politik, respekt për institucionet dhe bashkëpunim për reformat.

Rama nuk ka treguar gatishmëri, duke refuzuar te flasë për dialog.

Kjo vijon si një seri e re e atij filmit të vjetër që kur xhirohet mbi një skenar të sforcuar humbet po në vijimësi shikuesit.

Pasi humbi 2009-ën, rezultati u çertifikua 7: 0 nga KQZ.

Socialistët u kujtuan në shtator të justifikonin humbjen dhe, për rrjedhojë, bojkotin e Kuvendit me teorinë e pavërtetuar faktikisht e ligjërisht të vjedhjes së votave.

Kur të gjithë bënin thirrje për dialog, Rama provoi të gjitha stadet e protestave të të ashtuquajturës mosbindje civile, duke pasur një synim: bllokimin e reformave që mbeten peng i një shumice të cilësuar në Kuvend, si pasojë, bllokimin e hapave të mëtejshëm drejt BE-së, pse jo dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve.

Kjo e fundit nuk funksionoi sepse ishte qeveria ajo që kishte plotësisht në dorë reformat që u dhanë shqiptarëve lëvizje pa viza.

Por qeveria nuk kishte gjithçka në dorë ta bënte vendin kandidat për në BE, për shkak të votave të munguara të opozitës në Parlament, për një sërë ligjesh që kishin të bënin së pari me reformën zgjedhore, reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Para se të merreshin këto vendime nga strukturat e larta të BE-së në nëntor, kryeministri thirri një muaj me herët tryezën e partive politike për reformën zgjedhore.

Edi Rama nuk konfirmoi pjesëmarrjen, por vendosi të ndryshonte qëndrim, duke mbërritur në takim rreth një orë me vonesë.

Dorëzoi një draft me kushte, kryefjalë e të cilit ishte se reforma zgjedhore do të ishte mision i pamundur nëse nuk plotësohej kushti i hapjes së kutive.

Rezultoi një propozim i vjetër të cilit demokratët i kishin kthyer përgjigje.

“Nuk i duam më fletët e votimit”

Pasi Shqipërisë iu dha lëvizja e lirë, por jo statusi i vendit kandidat, Edi Rama ndryshe nga të gjithë u ndie fitimtar dhe shpalli se nuk donte më as kutitë e votimit.

Zhgënjeu ata që i besonin kauzës së tij, por konfirmoi pritshmërinë e të tjerëve se asgjë në politikën e tij nuk kishte të bënte me moralin e zgjedhjeve, por me justifikimin e qëndrimit të tij në krye të partisë, në kundërshtim me nenin e statutit që ai vet kishte reformuar, e i cili detyron dorëheqjen e kryetarit kur partia humbet zgjedhjet.

Rama nuk donte kutitë dhe nuk donte as reformë zgjedhore, duke refuzuar dhe ofertën e demokratëve që t’i bënte opozita amendimet e kodit zgjedhor, t’i çertifikonte ato në Komisionin e Venecias e OSBE/ODIHR e më pas do të miratoheshin në Kuvend.

Agravimi i situatës


Reforma zgjedhore nuk u krye, fletët e votimit u dogjën, dhe jo vetëm që dialogu nuk ishte në asnjë fjalë të drejtuesve të kupolës rozë, përkundrazi agravimi i situatës deri në bllokimin e zgjedhjeve të pritshme vendore ishte kryefjala e tyre, nga janari deri në 8 maj.

Mungesa e dialogut dhe rrezikimi i zgjedhjeve u shtri deri në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kur Edi Rama, duke urdhëruar bojkotin e tre anëtarëve të opozitës në KQZ, bëri çdo përpjekje për dështimin e procesit, ndonëse srish dështoi.

Nuk ia doli për shkak të punës së katër anëtarëve të tjerë në KQZ dhe angazhimit të përditshëm e disa-herësh në ditë të partnerëve ndërkombëtarë, përfaqësuesve diplomatikë të vendeve mike në Tiranë për mirëkuptim mes palëve.

Para fushatës zyrtare demokratët ishin sërish ata që tentuan marrëveshje mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR-it që kishin për qëllim mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, por socialistët refuzuan.

Vendosën kushte që synonin ndryshimin e kodit zgjedhor kur zgjedhjet ishin në prag, ndërsa për dy vite me radhë kodi për ta nuk kishte nevojë për ndryshim, siç Gramoz Ruçi muaj më parë do t’i shkruante komisonerit Fyle.

Fushata zgjedhore, e shoqëruar me incidente, përcillte imazhe negative e frike për ditën e zgjedhjeve. Rama shpallte se kishte zbritur në sheshe për të kërkuar referendum popullor për keqqeverisjen, ndërsa demokratët bënin thirrje për qetësi, duke deklaruar programe për qytetarin në këto zgjedhje, sipas tyre jopolitike Rama

Dita e qetë e votimeve


8 maji, si ditë votimi, por dhe heshtjeje zgjedhore, rezultoi befasuese për të gjithë dhe për vëzhguesit ndërkombëtarë gjithashtu.

Qetësia e asaj dite ishte ëndërruar në zgjedhjet e shkuara shqiptare, ndonëse Rama në shenjë nervozizimi dhe aspak prej lideri, nuk nguroi te thyente heshtjen zgjedhore, si një parandjenjë frike për ndëshkimin me votë, të paktën për qeverisjen e tij 11-vjeçare në Tiranë.

Dhe kur numërimi filloi befasia vijoi me garën e ngushtë për Tiranën.

Në fund të procesit të gjatë, Edi Rama nuk rezultoi fitues.

Rezultuan të fortë të rikandiduarit e tjerë socialistë në bashkitë kryesore, por edhe të fortët e rekrutuar nga të pakënaqurit demokratë në disa bashki të tjera.

Nuk rezultoi i tillë Edi Rama përballë, Lulzim Bashës, kandidatit demokrat që vetëm ai thoshte se nuk e njihte.
22 mije vota diferencë të 2007-ës kishin humbur si akulli në ujin e ngrohtë në 2011-ën.

Sa për votën politike për të cilën kishte luftuar 2 vjet, koalicioni rezultoi me 140 mijë vota më pak se i Aleancës për Qytetarin.

Rama nxitoi të shpallte nga foltorja e Partisë fitoren e 14 majit me dhjetë vota plus.

Strategjia vijoi me çdo përpjekje për delegjitimimin e procesit që ndodhi në KQZ e që u konfirmua si legjitim nga Kolegji Zgjedhor për numërimin e votave të qytetarëve të hedhura jo në kutinë e respektive.

Shpallja kundër Kolegjit Zgjedhor

Grupi i tij parlamentar shpalli bojkotin total të Kuvendit, duke kushtëzuar pjesëmarrjen dhe vendosjen e dialogut me shpalljen Edi Ramës fitues kur procesi ishte tashmë në fazën e sistemit të ankesave.

Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, dhe zyrtarët e lartë amerikanë përforcuan ditë pas dite këtë qëndrim, duke u bërë thirrje palëve të presin me qetësi përfundimin e procesit, të njohin institucionet e drejtësisë, vendimet e tyre.

Në pritje të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet, kërkohet dialog për përmbushjen e 12 kritereve të Bashkimit Europian, kushte për statusin e vendit kandidat. Berisha shpalosi këtë ofertë të radhës për bashkëpunim:

Dy ditë më pas socialistët, e cilësuan ofertën cinike, duke refuzuar bashkëpunimin.

Cilado që të jetë strategjia që do të miratohet në Asamblenë e 29 qershorit, përkuese me dyvjetorin e humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme nga PS, koha e vendim-marrjes në Kuvend ngushtohet, ndërsa çdo ditë bëhet dhe më e çmuar.

Koha është ndjeshëm e kufizuar, pasi siç është bërë me dije, në mesin e tetorit pritet progres-raporti i radhës.

Shqipëria ka 12 kushte për t’i përmbushur.

Pa njërën palë të gatshme për dialog krahas tjetrës, ato do të mbeten të tilla dhe Shqipëria po njësoj peng i mos-plotësimit të tyre për teka politike.
 
Promo
Live Stream
Moti
Sot

34° / 22°
Nesër

35° / 23°
Pasnesër

34° / 22°
Sondazh
Jeni dakord me aleancën e re PS-LSI në pushtetin vendor ose lokal?
Kursi i Këmbimit
USD / LEK
-2,42
105.51
EUR / LEK
0,74
141.29
GBP / LEK
0,03
164.76
CHF / LEK
1,79
114.67
JPY / LEK
3,48
111.03
Partnerë