20 skuadra dhe dhjetë çifte për të përcaktuar ekipet e fundit që do të luajë në fazën e grupeve të Champions League në edicionin 2012-2013 të aktivitetit më prestigjioz për klube. Në Nion është hedhur shorti për ndeshjet e turit “play-off”, ku nuk kanë munguar duelet e mëdha.
Ashtu siç e parashikon formati, kampionet e ligave të ndryshme europiane do të përballen me njëra-tjetrën, ndërsa skuadrat e kualifikuara sipas vendeve të përcaktuar për kampionatet përkatës “big” do të përballen ndërmjet tyre. Një mënyrë kjo për të favorizuar disi ekipet e kampionateve të ashtuquajtura të vogla.
Në sfidat ndërmjet kampionëve spikatin përballja e Bazelit, surprizës së edicionit të kaluar me rumunët e CFR Kluzh dhe ndeshja ndërmjet norvegjezëve të Helsinborg me skocezët e Sëlltik.
Në ndeshjet e tjera, BATE Borisov luan me izraelitët e Hapoel Kirjat Shmona, AEL Limasoli kundër Anderleht dhe Dinamo e Zagrebit me sllovenët e NK Maribor.
Në grupin e ekipeve jo-kampione, Udinezen e pret një test mjaft i vështirë përballë portugezëve të Bragës. Italianët, që u eliminuan vjet në fazën “play-off” nga Arsenali, i pret një tjetër test shumë i vështirë me nënkampionët e Europa League në sezonin 2010-2011.
Në ndeshjet e tjera, Spartaku i Moskës përballet me Fenerbahçen, Malaga me Panathinaikos, Borusia Mynshengladbah me Dinamon e Kievit dhe Lila me FC Kopenhagen.
Ndeshjet e para do të luhen më 21 dhe 22 gusht, ndërsa takimet e kthimit në datat 28 dhe 29 të po këtij muaji. Dhjetë ekipet fituese do të kualifikohen në fazën e grupeve të Champions League përkrah 22 klubeve të kualifikuara automatikisht.