Edhe pse në kualifikimin e Spanjës në finale, më tepër bujë bëri penalltia e ekzekutuar nga Sergio Ramos, elementët thelbësorë të “Furisë së Kuqe” në triumfin 4-2 me penallti përballë Portugalisë ishin Iker Kasijas dhe Sesk Fabregas.
Ashtu si ka ndodhur edhe katër vjet më parë në Austri, në çerekfinalen e fituar me 11-metërsha përballë Italisë, fati i ndeshjes u vendos nga portieri dhe fantazisti. Kasijas realizoi një pritje shumë të rëndësishme në penalltinë e parë të portugezëve, duke neutralizuar gjuatjen e Zhao Mutinjos, pasi më parë Shabi Alonso gaboi për spanjollët.
Me triumfin përballë Portugalisë, Kasijas festoi fitoren e 100-të me fanellën e Kombëtares spanjolle në 136 ndeshje që ka luajtur. Në Euro 2012, portieri ka pësuar vetëm një gol. Në sfidën e parë me Italinë dhe nuk është mposhtur prej 420 minutash.
Gjithashtu, 31-vjeçari Kasijas ka një ecuri unikale, pasi nuk pëson gol në ndeshjet me eliminim të drejtëpërdrejtë të një turneu madhor, që prej 1/8-ave të Botërorit 2006, kur Spanja u mposht 3-1 nga Franca, me gola të Riberi, Vieira e Zidan.
Në anën tjetër protagonist ishte edhe Sesk Fabregas, i cili shënoi penalltinë e pestë dhe vendimtare, ashtu siç kishte ndodhur në Europianin e kaluar kundër italianëve. Mesfushori katalan i kërkoi vetë stafit teknik që ai të gjuante i fundit.
“Duhej të gjuaja penalltinë e dytë, por i kërkova stafit teknik të isha i pesti. E ndjeja që unë isha lojtari i cili do të realizonte penalltinë që do ti jepte Spanjës finalen dhe i kërkova topit mos të më tradhëtonte”, zbuloi Fabregas.