Flash: Rama: Me Vuçiç ramë dakord që të shohim nga e ardhmja
Rama intevistë për “Deutsche Welle”: Pas incidentit, Serbia nuk ishte gati që vizita të zhvillohej në datën e përcaktuar
Politikë
Konsensusi, Kuvendi miraton me 130 vota pro kufizimin e imunitetit
Seanca parlamentare ka rrëzuar me 63 vota kundër paketën e PS
18 shtator 2012 19:12
Kuvendi pas 10 vitesh përpjekjesh ka miratur me unanimitet me 130 vota pro dhe asnjë kundër projektligjin për heqjen e imunitetit për zyrtaret e lartë duke plotësuar një tjetër kërkesë të rëndësishme që do ta afrojë më tej Shqipërinë me vendimin e Komisionit Europian për dhënien e statusit kandidat. Mazhoranca dhe opozita ndërkohë debatuan gjatë sa i takon amendamentit të propozuar nga opozita për ndryshimet kushtetuese sa i takon sistemit të drejtësisë ku deputetet demokrat kundërshtuan këto propozime duke i cilësuar ato si të papranueshme. Nga ana tjetër opozita mbrojti qëndrimin e saj duke cituar deklaratat e faktorit ndërkombëtar se këto propozime do të ishin një pikënisje e mirë për reformën në drejtësi. Në fund me 63 kundër dhe 60 vota pro të opozitës, u rrëzuan propozimet e saj për ndryshimin e Kushtetutës. Kuvendi votoi gjithashtu edhe ndryshimet në ligjin për deklarimin e pasurive të paluajtshme. 

Berisha: PS vajton largimin e Topit dhe të Spahiut
Kryeministri, Sali Berisha ka vlerësuar qëndrimin e Kuvendit pro kufizimit të imunitetit. Kjo pasi sipas kreut të mazhorancës në këtë ditë u mundësua realizimi i përpjekjes 10 vjeçare e PD-së për heqjen e imunitetit. 
“Kjo është një ditë e një rëndësie të jashtëzakonshme, është finalizimi i një beteje shumëvjeçare për realizmin e këtij akti të madh kushtetues ndaj të cilit nuk përftiton asnjë forcë politike. Por fiton çdo qytetar shqiptar, rendi kushtetues dhe kushtetuta e vendit. Kjo histori 10 vjeçare është një histori e gjatë, por u arrit konsensualisht që të bihet dakort për të hequr imunitetit. Iniciuam këtë nismë kur ishim pakicë. I kërkova Palokës të bëjë të gjitha lëshimet e nevojshme pavarësisht se nuk do të ishte drafti që propozuam,por do të ishte një draft konsensual”, vuri në dukje Berisha.  
Njëkohësisht, Berisha nënvizoi faktin se mazhoranca ishte e vendosur që të zgjidhte çështjen e imunitetit me të gjitha mënyrat, duke përfshirë edhe zhvillimin e një referendumi, pavarësisht se do të shkonte kundër dëshirës së tij. 
“Ju falënderoj jo se ju po votoni, por se dua të jem i hapur dhe i sinqertë. Referendumi, do shkoja kundër dëshirës sime, por për këtë çështje madhore unë kisha vendosur të shkonim drejt referendumit, pasi e konsideroja një çështje themelore jashtë tagrit tonë, kisha besim se shqiptarët do ta votonin. Kjo u shmang dhe për këtë ju falënderoj”, tha Berisha.
Por në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u ndal dhe në propozimet e PS-së për ndryshimet kushtetuese, të cilat në gjykimin e kreut të ekzekutivit janë një formë e vajtimit të largimit të Topit dhe  Spahiut.  
“Ju keni paraqitur një seri amendamentesh për reformën në drejtësi. Ju pretendoni se shqetësimi juaj kryesor është pavarësia e këtyre institucioneve. Nuk ka rëndësi ajo që flet po ajo që bën dhe ajo çfarë besohet. Sa qe Topi në rrjetën tuaj, i premtuat se do bëheshte President, se do t’i votoni Sali Shehun në KLD. Pse nuk i  bëtë më parë këto propozime apo kishit Topin dhe faqeziun. E shikoni ku e katandisën këto dy shokët tuaj drejtësinë. Unë jam objektiv, s’ia faturoj as Mejdanit dhe as Moisiut”, u shpreh Berisha. 
Ka vijuar dhe më i ashpër qëndrimi i Kryeministrit ndaj propozimeve të PS-së, duke argumentuar vetë thelbin e tyre. 
"Opozita u rreshtua me Topin dhe faqeziun për të punuar kundër meje. Opozita duhet të kryqëzonte qeverinë për Topin dhe faqeziun. Ju s’bëtë gjë tjetër veçse reformuat Topin me lejet e ndërtimit. Raportet e ekspertëve ndërkombëtare tregojnë për korrupsionin me transferimet. Paguheshin nga 200 mijë deri në 500 mije euro për transferimet në Tiranë. Gjykatësi që liroi Xhakjan, thotë se për vendimin është thirrur në KLD. Krijuam komisionin hetimor parlamentar për Spahiut dhe ju e votuat kundër. Pse nuk e mbështetët komisionin hetimor për Spahiun. Pse nuk reaguat për prokurorin Altin Dumani që hetonte 500 mijë m2 tokë në bregdet. Me këto amendamente ju vajtoni largimin e Topit dhe Spahiut”, deklaroi Berisha.
Madje, si për ta përforcuar një qëndrim të tillë, kreu i mazhorancës i kujtoi opozitës se janë një sërë emrash, anëtarë të forumeve drejtuese të PS-së, që drejtojnë institucionet e pavarura, përfshirë këtu institucionin e Avokatit të Popullit, Gjykatën e Lartë e me radhë. 
Përkundrejt kësaj deklarate ka reaguar kreu i grupit kuvendor socialist, Gramos Ruçi, i cili ritheksoi dhe njëherë tjetër se propozimet e PS-së janë substanciale për reformën në drejtësi. 
Kuvendi ka vijuar për disa orë diskutimet për propozimet e Partisë Socialsite lidhur me ndryshimet kushtetuese. 
Deputeti socialist Pandeli Majko ka deklaruar se për çfarë duhet të votojmë heqjen e imunitetit kur sot sistemi gjyqësor nuk funksionon dhe në të emërohen njerëz të mazhorancës.
“Për çfarë hyn në punë imuniteti kur drejtësia ka krijuar kastën e të paprekshmëve”-u shpreh socialisti.
Nga ana e tij deputeti demokrat Enkeljd Alibeaj theksoi qëndrimin e mazhornacës se nuk do ti votojnë amendamentet kushtetuese të PS-së për drejtësinë pasi sipas tij janë të papranueshme, ndërsa vlerësoi qëndrimin e opozitës nëse voton heqjen e imunitetit.
“Nëse votoni për imunitetin në këtë rast është një nga momentet ku duhet përshëndetur ajo që quhet opozitë e përgjegjshme”- theksoi Alibeaj.
Ndërkaq deputetja e PS-së Vailika Hysi e vlerëson si një pikënisje të mirë për drejtësinë paketën e PS-së.
Kuvendi pritet të votojë sot heqjen e imunitetit të deputetëve dhe gjyqtarëve, për të cilin edhe opozita do të japë votën pro. Seanca e sotme ka nisi me debatin mes kryeparlamentares Topalli dhe kreut te grupit të PS-së Gramoz Ruçi. Ky i fundit opozita nuk do të japë kontributin e saj nëse vazhdohet të mos merren parasysh vendimet e gjykatave nga ndërhyrjet politike. Ndërsa Kryeparlamentarja Jozefina Topalli i është përgjigjur se opozita duhet të japë konsensusin në interes të shqiptarëve. “Ligjet i shërbejnë drejtësisë, janë detyrimi ndaj qytetarëve, jo ndaj mazhorancës. Sistemi i drejtësisë ka nevojë për reformë dhe ne do të vazhdojmë me reformat. Edhe puna jonë është që të votojmë ligjin për Gjykatën e Lartë. Unë ju ftoj të ecim përpara me reformën në drejtësi.Votoni ligjin për Gjykatën e Lartë, keni detyrime ndaj shqiptarëve”, theksoi Topalli.
Në seancën plenare të sotme do të hidhet për votim drafti ligjor për ndryshimet kushtetuese, të cilat kanë për qëllim kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Vendimi u mor në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të grupeve parlamentare. Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat vlerësoi si tepër të rëndësishëm votimin në mbështetje të draftit ligjor.
Pro votimit në seancë plenare për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë, është vendosur edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Në këtë mbledhje, e drejtuar nga kryetari i grupit Gramoz Ruçi, në mungesë të kryesocialisti Edi Rama, mësohet se ligjvënësit socialistë janë përqendruar pikërisht tek votimit për kufizimin e imunitetit, një ndër kriteret kryesore që Shqipëria duhet të përmbushë në funksion të marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Vendimi i grupit parlamentar tregon ndryshimin e linjës politike të Partisë Socialiste, e cila kishte kushtëzuar votën e saj pro kufizimit të imunitetit me miratimin e një pakete ndryshimesh të tjera kushtetuese, të cilat preknin sistemin e drejtësisë.
Live Stream
Moti
Sot

21° / 13°
Nesër

23° / 13°
Sondazh
Apo e lufton si duhet qeveria trafikun e drogës?
Kursi i Këmbimit
USD / LEK
2,00
110.16
EUR / LEK
-0,48
139.57
GBP / LEK
2,77
177.1
CHF / LEK
-0,59
115.5
JPY / LEK
-0,30
102.56
Partnerë