Parlamenti: Më 4 qershor raundi i ardhshëm për Presidentin
Raundi i dytë i votimit u miratua vetëm me votat e mazhorancës
31 maj 2012 15:40
Parlamenti miraton 4 qershorin si datën kur do të zhvillohet edhe raundi i dytë in votimit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, e cila u miratua vetëm me votat e mazhorancës. 74 vota dhe 57 vota kundër datës për raundin e dytë të votimit për presidentin.
Pas dështimit të raundit të parë për këtë çështje, dje konferenca e kryetarëve miratoi me shumicën e anëtarëve të hënën e 4 qershorit në orën 10:00, datë kjo që nuk mori konsensusin e opozitës në mbledhjen e konferencës së kryetarëve. Opozita kërkoi dje që raundi i dytë i votimit të presidentit të zhvillohej më 5 qershor.
Raundi i parë dështoi për mosarritje konsensusi mes palëve
Raundi i parë dështoi për shkak të mos arritjes së një konsensusi nga mazhoranca dhe opozita lidhur me kandidaturën e paraqitur me konsensus nga mazhoranca dhe aleatët e saj.
Mazhoranca ka propozuar si kandidat konsensual të saj për president të vendit anëtarin e gjykatës kushtetutese Xhezair Zaganjori i cili u përzgjodh mes disa propozimeve të figurave po nga drejtësia apo nga fusha e diplomacisë.
Sipas Kushtetutës procesi i votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri bëhet në pesë raunde, nëse zgjedhja nuk arrihet në raundin e parë dhe kandidatët të marrin 84 vota të deputetëve të pranishëm. Votimi për zgjedhjen e kreut të shtetit do të kryhet çdo shtatë ditë, derisa kandidatët që do të jenë në garë të sigurojnë një mbështetje maksimale. “Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni”, thuhet në nenin 86 të Kushtetutës.