
Esat Ruka për një periudhë 40-vjeçare është themelues dhe drejtues i ansambleve popullore. Ai është një artist shumë planësh. Rruga e artit të tij nis që në fëmijëri. Shkollimi dhe skenat e artit treguan talentin, pasionin dhe vetëdijen e tij në rrugën e nisur.
Është rast shumë i rrallë që, megjithëse arsim të lartë në profilin e kulturës, nuk e ka lëshuar nga dora çiftelinë e tij, duke treguar se edhe me një instrument arkaik dhe tradicional mund të thuren, interpretohen e këndohen masivisht këngë popullore e balada shqiptare. Ai ka botuar albumet “Dritë dhe Shpresë” (1994), “Azem ti je gjallë” (1998). “Shqiptari mos thuaj mbarova” (2000); “Shpirti kosovar” (2003); “Album me muzikë tradicionale” Francë 2001. Rapsodia e tij për Isa Boletinin është si “vena që shoqëron çdo gëzim familjar dhe festa popullore”.
Balada” Azem ti je gjallë” u shndërrua në himn i demokratëve duke ndezur sheshet e qyteteve, skenat dhe festat e gëzimet familjare.Kështu mund të themi edhe për këngë të tjera kushtuar Mbretit Zog I - rë, Presidentit Rugova, Sul Kurtit, Besim Çerës, Ahmet Krasniqit etj.
Në Francë lë mbresa të thella te shikuesit dhe studiuesit. Në vitet 2002-2003 me grupin e tij ftohet të marrë pjesë në turne në Francë, Itali dhe Zvicër. Ai ka kënduar në Kosovë , Preshevë, Shkup, Athinë, Bolonjë, Palermo, Neë York , Boston, Malmo, Kostancë etj. Që nga Dhjetori 2005 është Drejtor i Qëndrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike. Nën drejtimin e tij ky institucion fiton përmasa të reja në menaxhimin e Festivaleve Folklorike Kombëtare.
Në rrugën e tij si artist ai çmon me përulësi bashkëpunimin me personalitete të larta të artit dhe kulturës kombëtare si R. Sokoli; Ç. Zadeja; T. Daija; Xh. Laçi; N. Gjoshi; Sh. Saraçi; E Xhulali; Zh. Ciko etj.
Esat Ruka është bërë subjekt i shtypit dhe i mediave audiovizive si një protagonist i spikatur, por edhe si një artikulues i qartë i punës së tij brënda dhe jashtë vendit.