Investime private në Shqipëri
MF: Rritje vjetore me rreth 5% në një periudhë afatmesme
20 gusht 2012 17:15
Investimet private në Shqipëri pritet të kenë një trend pozitiv në tre vitet e ardhshme. Pas një tkurrjeje të investimeve private gjatë dy viteve të fundit, Ministria e Financave është optimiste se ato do të rriten në mënyrë të kënaqshme në një periudhë afat mesme. Kuadri buxhetor afatmesëm parashikon se rritja e investimeve private reale është parashikuar në 5.1% në 2013, 5.7% në 2014 dhe 5.5% në 2015. Parashikimi për 2013-2015 i investimeve private bazohet në përmirësimin e ndjeshëm të likuiditetit në sektorin financiar, si dhe trendin rritës në të ardhmen afatmesme, përshpejtimin e rritjes së PBB-së gjatë vitit 2013, rritjen e shfrytëzimit të kapaciteteve dhe përmirësimit të klimës së bizneseve. Flukset e larta hyrëse të investimeve të huaja direkte dhe kërkesa e lartë për mallrat dhe shërbimet shqiptare janë dy nga kanalet kryesore që financat parashikojnë se do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë pozitiv për investimet e ardhshme private. Gjithashtu parashikimet e ekspertëve të financave janë mbështetur edhe në lidhje me një përmirësim të perspektivës makroekonomike europiane, kryesisht të partnerëve kryesorë ekonomikë të Shqipërisë, që përbëjnë një variabël tjetër të rëndësishëm për parashikimin e investimeve private.