Shkëmbimet tregtare mes Italisë dhe Shqipërisë gjatë vitit të kaluar kanë shënuar një rritje me 23% apo në vlerën e 7,3 miliardëve euro, krahasuar me një vit më parë. Të dhënat janë publikuar nga raporti i Zyrës Ekonomike ndërkombëtare të shërbimeve kërkimore të Inteza Sanpaolo. Sipas këtij raporti eksportet shqiptare drejt Italisë gjatë 2011-ës janë rritur me 26% në bazë vjetore. Gjithashtu edhe importet kanë shënuar rritje me 17% por krahasuar me zërin e eksporteve janë më të ulëta. Zyra bën me dije se gjatë vitit 2011 Italia renditet si partneri kryesor tregtar dhe investues në Shqipëri. Përsa u përket eksporteve studimet e Intesa Sanpaolo tregojnë se është rritur kuota e eksporteve të metaleve dhe mineraleve në totalin e tyre në Shqipëri ndërkohë që ka patur një rënie të tekstileve që mbetet gjithësesi një nga sektorët kryesor të eksporteve drejt Italisë. Italia është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë me një kuotë me 36% gjatë viti të kaluar apo 53% të eksporteve dhe 31% të importeve, më pas renditet Greqia dhe Turqia, thuhet në raportin e Intezës. Shkëmbimet tregtare italiane gjatë 2011-ës rezultojnë në 1,8 miliardë euro në një rritje vjetore me 17% . Kuota shqiptare në marrëdhëniet tregtare të eksport –importeve me Italinë zë 0,2% të totalit. Krahasuar me të kaluarën kjo kuotë ka rënë duke avantazhuar më shumë ekonomitë aziatike.
Me rreth 400 kompani që operojnë në Shqipëri të regjistruara nga instituti italian për tregtinë me jashtë Italia mbetet investitorja më e madhe në vend për nga numri i bizneseve shprehen analistët e Intesa Sanpaolo. Investimet italiane kryesisht janë drejtuar në financa, transport dhe telekomunikacion, në industri, në ndërtim dhe tregti. Stoku i investimeve të huaja direkte në Shqipëri gjatë 2011-ës ka qenë në 4,4 miliardë dollarë. Mes sektorëve më tërheqës për investitorët në raport citohen prodhimi i mallrave të konsumit dhe kapitalit, realizimi i infrastrukturës që lidhet me energjinë, turizmin dhe komunikacionin thuhet në raportin e zyrës ekonomia ndërkombëtare e shërbimit të studimeve dhe kërkimeve Intesa Sanpaolo.