Ministria e Financave: Shtohen te ardhurat muaj pas muaji
Sipas këtij dikasteri muaji mars i këtij viti ka qenë i sukseshëm
16 maj 2012 14:39
Muaji mars i këtij viti ka qenë i suksesshëm për sa i përket grumbullimit të të ardhurave në krahasim me dy muajt e parë të vitit 2012. Sipas të dhënave zyrtare të minstrisë së Financave, këto të ardhurat janë rritur gradualisht, muaj pas muaji. Bazuar në këto të dhëna, në muajin janar të ardhurat totale rezultojnë në rreth 25. 8 mld lekë, në shkurt, 49.5 mld lekë dhe në mars 78.4 mld lekë.
Vihet re se kontributin kryesor e kanë dhënë të ardhurat tatimore, të cilat kanë pësuar një rritje prej 20 miliardë lekë në mars në krahasim me një muaj më parë. Kështu, sipas treguesve fiskale për tre muajt e parë të viti të ardhurat tatimore arriten në mars 72.2 mld lekë nga 44.9 mld lekë që ishin në shkurt.
Por në shtimin e këtyre të ardhurave, një kontribut të konsiderueshëm kanë dhënë edhe të ardhurat nga gjobat dhe penalitetet, kryesisht ato të qarkullimit rrugor. Kështu, nga të dhënat e ministrisë së Financave rezulton se gjatë tre muajve të parë të këtij viti ka pasur një rritje të vazhdueshme të të ardhurave jo tatimore, nga 2.3 miliardë lekë të mbledhura në janar, në 3.8 miliardë lekë në shkurt dhe në 5.4 miliardë lekë në mars.
Një ndër faktorët që ka ndikuar në rritjen e të ardhurave jo tatimore është dyfishimi i gjobave rrugore, që hyri në fuqi në fund të muajit janar, pas miratimit të kodit të ri rrugor.
Ndërkohë një faktor tjetër janë edhe tarifat e importit të makinave, që paguhen nga qytetarët pas heqjes së doganës dhe që përfshihen në këtë zë të buxhetit.