Mungesa e trafikndarëses në Rrugën e Kombit po merr jetë njerëzish
Përplasen tre automjete në hyrje të Kukësit, një i vdekur
14 korrik 2012 16:26
Mungesa e hekurave ndarës ka shkaktuar sot vdekjen një personi dhe është bërë shkak për plagosjen e 4 të tjerëve në autostradën Durrës-Kukës.
Një makinë që udhëtonte nga Kukësi në drejtim të Tiranës ka humbur kontrollin dhe ka dalë në krahun tjetër të autostradës, duke goditur një tjetër automjet. Dalja e kësaj makine nga rruga në një autostradë ka ndodhur vetëm për shkak se hekurat ndarës janë hequr në rrugën e Kombit, veprën më të madhe rrugore të infrastrukturës shqiptare.
Si në asnjë vend tjetër kjo rrugë është dëmtuar nga individë të ndryshëm në gjithë gjatësinë e saj, veçanërisht në zonat ku kanë nisur të ndërtohen karburante, ashtu siç ka ndodhur edhe në këtë rast. Kjo është një përgjegjësi direkte e Drejtorisë së Rrugëve, e cila nuk mirëmban këtë vepër të kombit. Në këtë mënyrë mungesa e trafikndarëseve po e shndërron rrugën e Kombit në Rrugën e Vdekjes. Televizioni ABC NEWS e ka ndjekur disa here këtë shqetësim dhe do të vazhdojë deri në zgjidhjen e tij.