Berisha: 100 vjet "Vatra" në shërbim të kombit
Kryeministri dhe ambasadori Arvizu të pranishëm në konferencën për 100 vjetorin e “Vatrës
29 prill 2012 17:24
Vizita e kryeministrit Berisha u mbyll me një tjetër pikë kulmore. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij zonja Liri Berisha mori pjesë në ceremoninë e festimeve të 100 vjetorit të themelimit të Federatës Pan Shqiptare "Vatra". Ky 100 vjetor i Vatrës përkon edhe me 100 vjetorin e pavarsisë së Shqipërisë. E krijuar më 28 prill të vitit 1912 në Boston, por me qendër sot në Neë York, Vatra festoi ditën e djeshme 100 vjetorin e themelimit të saj me një aktivitet ku merrnin pjesë drejtues të saj, Kryetari zoti Gjon Bucaj, Zëvëndës Kryeministrja e Maqedonisë zonja Teuta Arifi, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj, ambasadori Amerikan zoti Aleksandër Arvizu, krerët e të katër komuniteteve fetare, të atij mysliman, katolik, ortodoks, dhe komunitetit bektashian, anëtarë, aktivistë dhe simpatizantë të Vatrës si dhe një numër shumë i madh shqiptarësh të diasporës nga SHBA, studiues, historianë, intelektualë, personalitete të kulturës, artit, shkencës, si dhe shumë të ardhur enkas nga Shqipëria për të festuar 1 shekull të Vatrës.
Aktivitetin e hapi Kryetari i Vatrës zoti Gjon Bucaj i cili theksoi se le të jetë ky kremtim një frymëzim për punë të mëtejshme si dhe frymëzim për gjeneratat e reja që ti afrohen Vatrës, po me atë idealizëm. "Të parët e krijuan, shqiptarë të tjerë e mbajtën deri ditët e sotme dhe me atë idealizëm edhe këta ta përcjellin drejt së ardhmes", u shpreh ai. Ndër të tjera ne fjalën e tij ai shprehu kënaqësinë për praninë në këtë festë të kryeministrit Berisha të cilin e cilësoi si një mik të madh të diasporës dhe një personalitet që ka kontribuar si askush tjetër në mbështetjen e diasporës.
“Ky 100 vjetor, është një homazh i madh për ata burra që 100 vjet më parë themeluan këtu në atdheun e lirisë në vendin e madh të lirisë, “Vatrën” , si vatër të lirisë së kombit shqiptar”- u shpreh Berisha.
Më tej ai shtoi se në këtë aktivitet nderojmë të gjithë atat shqiptarë që erdhën në këtë vend një shekull më parë dhe ndanë gjithçka me qeverinë e sapo krijuar shqiptare, derdhën gjak si luftëra lirie për konsolidimin e pavarësisë së Shqipërisë.
“Vatra” nuk reshti për të bërë të gjitha përpjekjet dhe për të kontribuar për lirinë e shqiptarëve. Vatra dhe vatranët u shndërruan në një mbështetje të fuqishme të proceseve demokratike në Shqipëri. Në një mbështetje të fuqishme të përpjekjeve të shqiptarëve për liri në Kosovë, por sot është një ditë homazh e madhe për Vatrën dhe vatranët, për të gjithë shqiptarët që gjatë këtij shekulli punuan në këtë vend të madh u shndërruan me punën e tyre, reputacionin e tyre, në një faktor të fuqishme të miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy kombeve dhe dy vendeve tona të mëdha”- tha ai
Gjatë këtij aktiviteti, krerët e të katër komuniteteve fetare, të atij mysliman, katolik, ortodoks, dhe komunitetit bektashian në fjalët e tyre iu lutën Zotit për të bekuar Shqipërinë, për të vijuar me këtë harmoni të shkëlqyer fetare dhe me patriotizmin që karakterizon shqiptarët, të cilët gjatë gjithë periudhës së historisë së tyre ndihmuan dhe bashkëpunuan në mënyrë vëllazërore me njëri - tjetrin duke mbështetur njëri - tjetrin për të ruajtur gjuhën, kulturën,identitetin, pavarësinë.
Fjalime mbajtën edhe zëvëndëskryeministrja Teuta Arifi, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj, ambasadori Arvizu e një sërë personalitetesh të tjerë të cilët iu referuan ngjarjeve historike që nga themelimi i Vatrës e më pas me pavarsimin e Shqipërisë, duke bërë një bilanc të këtyre 100 viteve dhe i njohën të pranishmit me disa momente kyce, me kontributin që ka patur Vatra për çështjen e kombit, rolin dhe ndihmesën e kësaj bashkësie për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, për zhvillimin ekonomik e kulturor të tij, ruajtjen e identitetit etj.